MARIN SORESCU: Duhej të mbanin një emër

Shekspiri

Shekspiri e krijoi botën në shtatë ditë.

Ditën e parë bëri qiellin, malet dhe humnerat shpirtërore.
Ditën e dytë bëri lumenjtë, detet, oqeanet
Dhe ndjenjat e tjera -
E ia dha Hamletit, Julius Qezarit, Antonit, Kleopatrës dhe Ofelisë,
Otellos dhe të tjerëve
T'i zotërojnë, ata dhe pasardhësit e tyre,
Në jetë të jetëve.
Ditën e tretë i mblodhi të gjithë njerëzit
Dhe u mësoi shijet:
Shijen e lumturisë, të dashurisë, të dëshpërimit,
Shijen e xhelozisë, të lavdisë e kështu me radhë,
Gjersa u mbaruan të gjitha shijet.

Atëhere mbërritën ca njerëz që ishin vonuar.
Krijuesi u përkëdheli kokat me mëshirë,
Dhe u tha se nuk u mbetej veçse të bëheshin
Kritikë
Dhe t'ia hedhin veprën poshtë.
Ditën e katërt dhe të pestën ia la mënjanë së qeshurës.
Lëshoi klounët
Të bëjnë kollotumba,
Dhe i la mbretërit, perandorët
Dhe të palumtur të tjerë të zbaviten.
Ditën e gjashtë zgjidhi ca probleme administrative:
Vuri në vijë furtunën,
Dhe e mësoi mbretin Lir
Si duhet të mbajë një kurorë pendësh.
Patën mbetur ende ca copëra nga ngjizja e botës
Dhe krijoi Rikardin e III-të.
Ditën e shtatë pá nëse i pat ngelur ende ndonjë gjë për të bërë.
Drejtorët e teatrove patën mbushur tashmë tokën me afishe,
Dhe Shekspiri mendoi se pas aq mundimi
E kish bërë hak të shihte edhe ai një shfaqje.
Por, më parë, meqënëse ish tejmase i kapitur,
Shkoi të vdiste pak.


Shah


Unë lëviz një ditë të bardhë,
Ai lëviz një ditë të zezë.
Unë avancoj me një ëndërr,
Ai ma merr me luftë.
Ai më sulmon në mushkëritë,
Unë rri menduar një vit në spital,
Sajoj një kombinim të mrekullueshëm
Dhe i fitoj një ditë të zezë.
Ai lëviz një fatkeqësi
Dhe më kërcënon me kancerin
(I cili tashpërtash çapitet në trajtë kryqi).
Por unë i ve përpara një libër
Dhe e detyroj të tërhiqet.
I fitoj edhe ca gurë,
Por, shih, gjysma e jetës sime
Del buzë honit.
Do të të jap një shah që ta humbësh optimizmin,
Më thotë ai.
S'prish punë, bëj shaka unë,
Do të bëj rokadën e ndjenjave.
Prapa meje ime shoqe dhe fëmijët,
Dielli, hëna dhe miq të tjerë
Dridhen sa herë bëj ndonjë lëvizje.

Unë ndez një cigare
Dhe vazhdoj ndeshjen.


Sëmundja


Doktor, ndjej diçka vdekëse
Brenda qënies sime.
Më dhembin gjithë organet,
Ditën më dhemb dielli,
Ndërsa natën hëna dhe yjet.

Më ka dalë një xhungë në renë e qiellit
Që deri qëparë nuk e kisha vënë re
Dhe çdo mëngjes
Më duket se ka ardhur dimri.

Më kot u mbyta me ilaçe,
Kam urryer dhe kam dashuruar, kam mësuar të lexoj
Madje dhe kam lëçitur disa libra,
Kam folur me njerëzit dhe jam menduar,
Kam qënë i mirë dhe i bukur...

Të gjitha këto nuk kanë pasur asnjë efekt, doktor.
Dhe kam harxhuar një lumë me vite.
Besoj se jam sëmurur për vdekje
Atë ditë që u linda.


Duhej të mbanin një emër


Eminesku as që ka ekzistuar ndonjëherë.

Ka ekzistuar vetëm një vend i bukur
Buzë detit
Ku valët sajojnë nyje bardhoshe
Si një mjekër e shpupurisur prej fodulli.
Dhe ca ujra si trungje që pikojnë
Ku hëna e ka pasur folenë rrotullame.

Dhe, sidomos, kanë qënë ca njerëz të thjeshtë
Që quheshin Mirçea Plaku, Stefani i Madh*,
Apo më shkoqur: barinj dhe bujq,
 Të cilëve u pëlqente të recitonin
Mbrëmjeve rreth vatrës poezi...
"Shqerrkëzën" dhe "Yllin e mëngjesit" dhe "Letrën e Tretë"**.

Por me që vazhdimisht dëgjonin
Si lehnin qentë në stanin e tyre,
Niseshin të luftonin me tartarët
Dhe me avarët dhe me hunët e gotët
Dhe me turqit.

Gjatë kohës që u mbetej e lirë
Midis dy rreziqeve,
Këta njerëz bënin nga fyejt e tyre
Enë
Për lotët e gurëve të mallëngjyer,
Aq sa rridhnin dojnat në luginë
Nga gjithë malet e Moldovës e të Muntenies
E të Trevës së Bërsës e të Vrançës***
E të visesve të tjera rumune.

Kanë qënë edhe ca pyje të dendur
Dhe një djalosh që kuvendonte me ta,
E i pyeste përse lëkunden edhe kur s'kish erë?

Ky djalosh me sy të mëdhenj,
Si historia jonë,
Kalonte i rrahur nga mendimet
Nga libri cirilik në librin e jetës,
Gjithë duke numuruar plepat e dritës, të drejtësisë, të dashurisë,
Që i dilnin vazhdimisht vetëm tek, kurrë çift.

Po kanë qënë edhe disa blire,
Dhe dy të dashuruar
Të cilët dinin ta shndrronin çdo lule
Në një puthje.

Dhe ca zogj si vetë retë
Që flatronin sipër tyre
Si pllaja të gjata e në lëvizje.

Dhe meqë të gjitha këto
Duhej të mbanin një emër,
Vetëm një emër,
I quajtën
Eminesku.

Shqipëroi Kopi Kyçyku





* Prijsa popullorë rumunë.
** Krijime të famshme të Emineskut
*** Krahina rumune