ANA BLANDIANA: Jemi të ëndërruar nga dikush...

Lodër


Qiell e dhé
Me fill mëndafshi,
Shiu, tek bje
I lidh si afshi.

Shih si thurr bari
Tokën me retë,
Mos jam i pari
Që shoh përpjetë?

Nga sipër duket
Bari si shi,
Tek rrjedh i gjelbër
Në gjithësi.

Të jetë ky shi,
Në udhë të reve,
Si bari gri,
Që rrjedh për neve?

Më jep një re,
Të jap një emër,
Tani, e sheh
si rreh kjo zemër?


Dhe ti, rrogtar,
Mos bëj çudi,
Shiu ësht' bar,
Dhe bari shi.

Shi rritin retë,
Qiellin lan bari,
Kjo e vërtetë
Ndriçon si fari.
  

Morfologji


Një mall i shuar nga bota
Dhe gati i fikur nga unë,
Me emra, mbiemra të plota,
Të gjuhës së huaj në punë.

Mes frazash, të saj elemente,
Të buta, të lashta, lastare,
Shoh foljet që shndrrojn' në fermente
Mendimin në gjuhën amtare.

E vetmja që bluaj paprerë,
Me mendje, me shpirt e me zjarr,
Luhatje të serta përherë,
Nga djepi dhe deri në varr.

Ajo që fort mirë e kuptojmë,
E flasin dhe male, dhe dete,
Vetiu si ligj e mësojnë
Me lidhza, me emra, epitete.

Pasthirrmat e tharta, si xhindër
Mendimin e shprehin të nxehtë,
Për botën me mallin për prindër,
Dhe për fëmininë - të qetë.


Gjenealogji


Jemi të ëndërruar nga dikush,
Që nga ana e vet është ëndërruar
Nga një tjetër,
I cili është ëndrra e një ëndrre
Të caktuar,
Të rrokur nga gjumi
Endërrojmë edhe në një botë
Të përplasur egër në gjumë.
Duke ëndërruar,
Hallkë e brishtë jemi
Në zinxhirin pa krye
Që nuk do të mbarojë
Kurrë,
Megjithse
Do të mjaftonte
Një klithmë e vetme
E fuqishme sa të mund të zgjonte
Përgjysmë
Të parin zotëri
Nga gjumi
Atë që fle
Në themelin e botëve
Të ëndërruara.

Shqipëroi Kopi Kyçyku