Zëri i disidencës së heshtur - Bisedë me z. Anton Çefa

Revista Haemus: Disidentët në ish-vendet komuniste, pra edhe në Shqipëri, janë ndeshur dhe kanë kundërshtuar në forma të ndryshme mungesën e vlerave të vërteta në të ashuquajturën krijimtari artistike të isombajtësve të regjimeve totalitare. Dihet, gjithashtu, se mungesë vlerash të mirëfillta hasen edhe në Perëndim, ndonëse mungesa e talentit të vërtetë nuk lidhet me ndonjë servilizëm ndaj regjimit. Ju lutemi të na thoni diçka rreth mjeteve e mënyrave që përdorin krijuesit në Botën e Lirë për mënjanimin dhe eliminimin e mosvlerave, antivlerave, pseudovlerave dhe kitsch-it.

Anton Çefa: Duhet të pohojmë se në Shqipëri nuk pati një disidencë të vërtetë artistike që t’u kundërvihej, në një mënyrë a në një tjetër regjimit, letërsisë dhe arteve të realizmit socialist, përmbajtjes dhe metodave të tij. Pati njëfarë disidence të heshtur, gjë që do të thotë nuk pati. Dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe, përderisa vepronte ligji i prerjes së kokës, siç ndodhi me letrarët klerikë të Shkodrës, apo i prerjes së gjuhës, siç ndodhi me Mitrush Kutelin, Musine Kokalarin, Sejfulla Malëshovën e sa e sa të tjerë. Veprat e Kasëm Trebeshinës u shkruan ndër burgje dhe nuk u bënë të njohura për lexuesin, derisa u përmbys diktatura. Dhe ende, një pjesë e tyre, - siç thuhet, - presin të dalin në dritë.
Disidenca e Lasgushit u jetësua vetëm në qëndrimin e tij dhe jo në veprimtarinë krijuese. Qëndrimi i Lasgushit qe një vetëflijim artistik nëpërmjet heshtjes. Disidenca e vërtetë, në kushtet tona, mund të sendërtohej në një rrugë të vetme, duke u arratisur nga atdheu. Populli thotë: Rri shtrembër e fol drejt! Ne nuk patëm një krijues të tipit Sollzhenicin a Boris Pasternak. Noli, duke u tërhequr nga vallja e politikës, u tërhoq edhe nga vallja e krijimtarisë letrare origjinale. Madje ai qëndroi indiferent ndaj zhdukjes së elitës letrare, jo vetëm nga radhët e atyre që i kishte pasur kundërshtarë politikë, por edhe nga radhët e atyre që i kishte pasur bashkëpunëtorë. Krijimtaria e Koliqit dhe e Camajt, mbas largimit të tyre nga atdheu, në përgjithësi u zhvillua jashtë realitetit shqiptar të diktaturës, të cilin ata nuk e njohën. Pipa, mbasi provoi 10 vjet në burgjet e kampet e riedukimit të armiqve të popullit dhe u arratis nga atdheu, botoi përmbledhjen e poezive Burgu. Ai nuk u përkap tek proza, për të na dhënë një kuadër sa më të gjerë të jetës shqiptare nën diktaturë, por u hodh në shkencë e në publicistikë. Edhe për disidencën në krahun tjetër, në atë të artit për art, nuk mund të bëhej fjalë. Vepronte i njëjti ligj. Pjesa dërmuese e veprave më të mira artistike, që u realizuan në hullinë e realizmit socialist, janë thjesht një shfaqje e prostitucionit të artit me ideologjinë e kuqe, një kurvëri në të cilën kopili i mbetet gjithmonë artit dhe, ajo që është më e keqja, edukimit të breznive të reja. Nuk është e tepërt të themi se për formimin e asaj monstre që u quajt njeriu i ri ka ndikuar në mënyrë të veçantë letërsia dhe artet, sepse propaganda politike me konferenca, me shtypin dhe me mjete të tjera, qe bërë aq bajate sa ndikimi i saj qe zbehur fare. Flitet për denoncim të realitetit nga krijimtaria letrare e individualiteteve më të spikatura. Hijet e këtij denoncimi, ato reflekse kritike që përshkëndijohen largëtas, aty-këtu, janë aq të zbehta dhe humbin në hapësirën e hyjnizimit të këtij realiteti, sa që me vështirësi dalloheshin edhe prej një lexuesi të kultivuar, atij lexuesi që ishte i ndërgjegjshëm për atë çfarë po ndodhte me atdheun, kombin, popullin, kulturën, historinë, psikologjinë, ndërgjegjen kombëtare, etj. Gjatë procesit të leximit të një vepre të realizuar mjeshtërisht, - po kufizohemi me letërsinë artistike, - tek lexuesi nuk ndodh vetëm një përjetim thjesht artistik, madje ky përjetim, i hetuar qoftë edhe vetëm si kënaqësi estetike, nuk do të mund të sendërtohej pa një përjetim intelektual, përmbajtësor, sepse çdo vepër shtjellon një brendi konkrete, hartohet me një qëllim të paramenduar nga autori dhe përmban një mesazh. Përveç funksionit estetik, në krijimtarinë artistike mishërohet edhe një vizion i përcaktuar social, moral, politik, etj. Dhe një gjë e tillë është e pashmangshme, në radhë të parë për letërsinë e realizmit socialist, e cila i përzgjedh, i trajton dhe i vlerëson faktet e dukuritë jetësore nga pozitat e socializmit shkencor, simbas partishmërisë së famshme komuniste, duke synuar të pasqyrojë jetën e re e të lumtur të masave popullore... Çfarë mund të thuhet për një vepër letrare të shkruar bukur, me mjeshtëri të lartë artistike, por që predikon me fanatizëm politik dhe kultivon në ndërgjegjen e rinisë farën e përgjakshme të luftës së klasave, çfarë mund të thuhet për një vepër letrare që e shtrembëron realitetin tej çdo mase dhe e paraqet, bie fjala, fshatarësinë duke dorëzuar me dëshirë të madhe bagëtitë në kooperativë, etj., etj? Pa u zgjatur, çfarë mund të thuhet për një letërsi që harxhoi të gjitha energjitë artistike për të depersonalizuar njeriun dhe për ta paraqitur para vetes dhe botës këtë krijesë të shpifur si shqiptarin e epokës së ndritur socialiste, që krijoi partia? Dëmi ndaj kombit mund të bëhet gjithsesi, po mund të bëhet edhe në këtë mënyrë. Këtu qëndrojnë vlerat, antivlerat, pseudovlerat, quaji si të duash. Lavirës, sado e bukur të jetë, nuk mund t’i thotë kush e ndershme. Natyrisht, nuk mund të mohohen vlera të vërteta artstike në letërsinë e artet, poezi, poema, fragmente nga proza e gjatë, tregime dhe mjaft piktura, skulptura, pjesë muzikore, etj. Letërsia shqipe, që nga Buzuku, ka lindur dhe është zhvilluar si letërsi utilitare dhe do të mbetet e tillë për do kohë. E keqja është se realizmi socialist e demonizoi utilitetin e saj dhe të arteve. Për ne shqiptarët, që nuk po e gjejmë ende veten edhe mbas dhjetë vjetësh të përmbysjes së diktaturës, por që po luhatemi deri në buzë të greminës, që po shkojmë drejt humnerës së shpërfytyrimit të identitetit tonë, drejt zhbërjes dhe mohimit të tharmit tonë etnik, për ne shqiptarët që nuk kemi arritur ende të zgjidhim disa çështje kombëtare, problemi i edukimit moral e atdhetar të breznive të reja është parësor, kategorik, gjëja më e domosdoshme. Dhe nuk mund të përjashtohen letërsia dhe artet nga një detyrë e tillë. Rinia jonë ka nevojë për një art që ka në gjirin e vet mesazhin e madh e fisnik të shqiptarizmit e të halleve të popullit. Le të bëhen sot e kësaj dite dhe kurdo eksperimente me surrealizma, impresionizma, ekzistencializma, abstraksionizma, etj.! Nëse vlerat artistike të krijuara nuk do të kenë një mesazh të qartë kombëtar e humanitar nuk do t’i vlejnë popullit tonë. Le të aplikohen rryma të reja filozofike e estetike prej shkrimtarëve dhe artistëve tanë! Eshtë e domosdoshme të ecim me hapin e kohës edhe në rrugën e kulturës e të artit dhe të mos vetizolohemi, siç ndodhi në të kaluarën; por, për ne shqiptarët është thelbësore të kapemi fort mbas vlerave estetike që krijon realizmi. Mendoj se arti realist është arti i të gjitha kohërave, ndërsa të tjerët janë arte të modës dhe kanë e do të kenë fatin e modës. Do ta përligjin veten e tyre metodat moderne të artit nëse ia dalin mbanë të kumtojnë mesazhin fisnik të shqiptarizmit. Jashtë kësaj, sidomos për kushtet e sotme të popullit tonë, nuk mund të ketë vlera të vërteta artistike. Gjithnjë e kudo ka e do të ketë pseudovlera e antivlera, edhe kitsch-i do të jetë i pranishëm, siç po ndodh edhe në vendin tonë, por në një botë ku individi është plotësisht i lirë, tëharrja e tyre bëhet në një mënyrë të natyrshme, të vetvetishme dhe jo vetëm nëpërmjet një kritike të shëndoshë shkencore. Skartuesi i parë për letërsinë e artet është e do të jetë lexuesi, një lexues i kultivuar e i moralshëm. 

- Ç’mundësi dhe vështirësi duhet të përballë një talent i vërtetë, që ka shkuar në Botën e Lirë, që të mund të afirmohet njëlloj si vendësit?

A. Ç.: Një emigrant i talentuar, për të ushtruar talentin e tij, para së gjithash, duhet të zgjidhë problemin ekonomik, atë të jetesës. Vihet re që një numër i konsiderueshëm i intelektualëve shqiptarë të talentuar, premtues në fushën e krijimtarisë artistike, që, mbas përmbysjes së diktaturës në atdhe, morën rrugët e mërgimit, bëjnë punët më të rëndomta, duke pësuar, natyrisht, mangësi në nivelin e në prodhimtarinë krijuese. Sido që të jetë, arti i vërtetë, në përgjithësi, e gjen rrugën e afirmimit. Këtu në Nju Jork jeton prej vitesh një piktor i talentuar, që ka realizuar qindra vepra me vlerë të lartë artistike, por që, me gjithë këtë punë të vëllimshme, nuk ka arritur të sigurojë kushtet e nevojshme të jetesës e të punës. Dhe si ky ka plot. Një mecenat i ndërgjegjshëm mund të ndihmojë në këtë drejtim, por në përgjithësi, megjithëse nuk mungon, është i pamjaftueshëm. Në rrugën e muzikës, të artit skenik e të kinematografisë, vihet re një ambientim më i frytshëm i artistëve emigrantë.

- Çfarë perspektivash shihni në drejtim të ndihmës që mund të japin të mërguarit për lartësimin e vlerave të kulturës kombëtare, sidomos duke pasuruar thesarin e kulturës botërore me krijime cilësore me karakter kombëtar...

A. Ç.: Historikisht, diaspora shqiptare ka dhënë një ndihmesë të vyer në zhvillimin e kulturës kombëtare. Mjafton të përmendim veprën e madhe të humanistëve tanë, në shekujt XVI-XVIII, si edhe atë të rilindësve, që u zhvillua në ngulimet arbëreshe, në Itali, apo më vonë, në Turqi, Rumani, Egjipt, etj. Në këtë truall frymëzimi dhe idealesh po ecin intelektualët që i kapi “flama” e emigracionit, për të dhënë një ndihmë sa më të frytshme për kulturën tonë, duke paraqitur para botës së qytetëruar vlerat etnike të popullit tonë.

- Ju lutemi të na besoni ndonjë hollësi domethënëse rreth jetës dhe veprimtarive të shqiptarëve të Amerikës. Si mishërohen në jetën e përditshme të tyre virtytet dhe dallojat e njohura të kombit shqiptar

A. Ç.: Shqiptarët e Amerikës kanë një traditë të shkëlqyer shqiptarizmi, që e krijuan shumë burra të shquar, si Sotir Peci, Fan Noli, Faik Konica, At Naum Cere, Kristo Kirka, Kristo Dako, Loni Kristo, Llambi Çikozi, Kristo Floqi, Kostë Çekrezi dhe shumë e shumë të tjerë. Që në dekadat e para të këtij shekulli, ata brumosën në shpirtrat e emigrantëve një ndërgjegje të lartë kombëtare, me ideale fisnike e me predispozita për t’ju përkushtuar me vetëflijim çështjes së shtrenjtë të atdheut e të kombit. Ata i lanë trashëgim kësaj bashkësie dy institucione të tilla, si “Vatra” dhe “Dielli”, të cilat vatranët i ruajtën dhe po mundohen t’i ruajnë sot e kësaj dite. Vetëm para pak kohësh, “Vatra” përkujtoi, me një seminar, 90-vjetorin e botimit të “Diellit”, gazetës më të vjetër të shtypit shqiptar, që vazhdon të botohet sot e kësaj dite. Kjo bashkësi, gjatë këtij dhjetëvjetshi, ka bërë një punë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ndihmuar vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe, sidomos, për njohjen e çështjes së Kosovës, nëpërmjet demonstratave të fuqishme në Uashington e Nju York, ku kanë marrë pjesë shqiptarë jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Kanadaja, si dhe përmes mjeteve të informacionit masiv, botimeve, etj. Ajo i ka siguruar kombit tonë, Kosovës dhe shtetit shqiptar, miq të mëdhenj amerikanë, të cilët kanë ndikuar dhe ndikojnë në veprimtarinë politike e diplomatike amerikane. Në mënyrë të veçantë, punohet në lëmin e kulturës kombëtare me botime librash e gazetash, me organizimin e veprimtarive kulturore e artistike, çka ndihmon në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe transmetimin e tij breznive të ardhshme. Këtu, në ShBA, u krijua batalioni “Atlantiku”, që shkoi të luftojë për çlirimin e Kosovës, siç shkuan, me 1913-1914, djelmoshat e këtushëm për të luftuar kundër andartëve grekë. Në ShBA ushtrojnë veprimtarinë e tyre disa parti politike, nga të cilat më e madhja e më aktivja është Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe shumë organizata, nga të cilat, përveç “Vatrës”, mund të përmendim Ligën Shqiptaro-Amerikane, Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Organizatën Kombëtare të Shqiptaro-Amerikanëve, organizata të tjera të krijuara mbi baza krahinore, si Shoqata Dibrane, Shoqata e Plavë-Gucisë, e Malësisë së Madhe, etj. Institucionet fetare dhe klerikët atdhetarë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në edukimin dhe bashkimin e elementit shqiptar. Ka shkolla, ku zhvillohet mësim të shtunave për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe dhe për t’i njohur me kulturën kombëtare, por që vitet e fundit nuk kanë funksionuar si duhet; botohen gazeta e revista, si “Illyria”, “Bota sot”, “Dielli”, “Trojet tona”, “Jeta Katolike”, etj. Janë bërë përpjekje për të krijuar një katedër a një institut të studimeve albanologjike, një klub kulture, një bibliotekë të librit shqip, por pa sukses. Duhet thënë edhe kjo: shqiptarët janë e mbetën shqiptarë, me të mirat dhe të metat e tyre. Si duket, ata nuk mund të dalin nga “lëkura e tyre”. Edhe pse jo në Ballkan, por në Amerikë, ata janë dhe mbetën individualistë, njerëz që kërkojnë të duken, karrieristë, etj. Të gjithë duan të jenë të parë e të japin urdhëra. Kjo dëmton bashkimin dhe bie me vete përçarjen. Përçarja më e madhe shkaktohet nga politika me ngjyra tepër ekstreme, që po zhvillohet në Shqipëri dhe në Kosovë. Mbizotëron një polarizëm i theksuar. Disa gjoja të majtë (në fakt, enveristë) dhe disa të djathtë. Nuk mungojnë as enveristët e deklaruar. “Vatra” nuk e ka njohur dhe nuk e njeh qeverisjen e koalicionit të majtë, dhe politikën e saj të jashtme e cilëson antikombëtare. Duke ju falenderuar për nderin që më bëtë me këtë intervistë, i uroj shëndet e arritje të mëtejshme gjithë bashkësisë shqiptaro-rumune dhe, në mënyrë të veçantë, këshillit botues të revistës “Haemus”, i cili, duke ecur në rrugën e ndritur që hapën shqiptarët e Rumanisë që në periudhën e Rilindjes Kombëtare, premton të bëhet një revistë e fuqishme kulturore e të dyja kulturave, asaj shqiptare dhe asaj rumune, dhe njëkohësisht një urë lidhëse jo vetëm në fushën e kulturës, por edhe të miqësisë në mes dy popujve tanë, çka është shumë e rëndësishme, sidomos për Ballkanin.
Ju falem nderit! 

Anton Çefa, editor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare Vatra, Nju Jork, 1999.