VINÇENX GOLLETTI BAFFA: Darvinizmi linguistik dhe kapitalizmi absolut



Jeta e individit, ashtu si edhe jeta e grupeve të para shoqërore, në fillim ishin të thjeshta, dhe të rralla ishin. Kështu mendoj se ishin atëhere edhe të papriturat, domethënë ngjarjet që nuk mund të parashikoheshin.
Me kalimin e kohës, kur në ca vende të përshtatshme gjeografikisht u zhvilluan trajta të ndryshme të bujqësisë, grupet shoqërore u zmadhuan e jeta u bë më e lehtë, sidomos për shtresat e larta të popullsisë e për individët drejtues, por mbeti e vështirë për njerëzit e zakonshëm. S’duhet harruar se përparimi teknik e thjeshtëzon jetesën, por kjo nuk vlen për të gjithë, po qe se nuk përmirësohet njëkohësisht vërtet edhe sistemi politik. E kështu jetesa për grupet shoqërore, që pak nga pak ishin zhvilluar në shtete, nuk ishte më aq e thjeshtë dhe e parashikueshme; e historia e epokave të kaluara, ashtu si ndodhitë e kohës sonë, na tregojnë shumë e shumë shembuj për arritjet, por edhe për gjëmat e papritura.
Natyrisht nuk kanë munguar kurrë njerëzit gjenialë, të cilët gjendjen e kanë kuptuar mirë dhe e kanë paralajmëruar popullsinë për rrezikun. Këtu dua të kujtoj vetëm figurën mitologjike të Kasandrës, sidhe frëngun Charles Alexis Maurice Clérel Comte de Tocqueville (1805-1859), i cili paratha për Shtetet e Bashkuara të Amerikës e për Rusinë një të ardhme të shkëlqyer për shkak të madhësisë së tyre gjeografike në krahasim me shtetet evropiane, të cilat atëherë vërtet ishin superfuqi, sundonin botën e kishin popullsi të mëdha për atë kohë, por territori i tyre ishte relativisht i kufizuar. 
Do të ishte e këshillueshme për ca përfaqësues të politikës, të ekonomisë dhe të shkencës, të merreshin një çikë më shumë me demografinë historike. Për fat të keq, përditë e më fort po bindem se politikani evropian zakonisht nuk dëshiron, ose ndruhet ta pranojë realitetin demografik botëror. Në të vërtetë, realiteti politik volens nolens, dashur padashur, është kuptuar deridiku, ndërsa realiteti kulturor e ekonomik është kuptuar më pak.....Tani dihet se, me të parën e sidomos me të dytën luftë botërore, evropianët bënë praktikisht vetëvrasje në teatrin politik të rruzullit tokësor; sot shtetet e mëdha evropiane s’ janë më me peshë, por, mjerisht, vetëm pak njerëz janë të bindur se edhe kulturisht shtetet evropiane vlerat i kanë modeste.
Këtë radhë dua të merrem veçanërisht me kulturën e të shpreh haptas ca mendime, të cilat edhe evropiani më i urtë nuk do t’i pranojë teorikisht, megjithëse praktikisht vepron më ligsht se sa po shkruaj sot këtu. Dhe nuk dua të ndalem në faktin se për shumë popuj evropianë vetëvrasja demografike po troket në derë. 
***
Termi „dialekt“ ka dy kuptime. I pari është variant i një gjuhe e nuk ka asnjë nëntekst negativ. I dyti përdoret për të folmet që zakonisht nuk shkruhen ose shkruhen vetëm për një letërsi popullore, pra jo për shkencë e për filozofi. Vetëkuptohet se ka edhe ndonjë përjashtim. Në rast se merren në shqyrtim librat dhe artikujt shkencorë e filozofikë që botohen në Evropë, numri i veprave në gjuhët e shumta dhe të bukura evropiane pas Luf tës së Dytë Botërore është bërë nga viti në vit më i vogël e gjuha anglo-amerikane është jo vetëm gjuha e ekonomisë dhe e politikës, por edhe e shkencës dhe e filozofisë. Dhe kjo përbën vetëm një pjesë të gjendjes sonë: amerikanishtja është sot jo vetëm gjuha e shkencës dhe e filozofisë, por edhe gjuha e kulturës. Jo vetëm kaq: sa e sa shkencëtarë e filozofë evropianë janë të bindur, - kështu më duket mua, - se vetëm gjuha anglo-amerikane ka në dispozicion shprehjet që sot i nevojiten njerëzimit të kulturuar. Me fjalë të tjera unë dua të them haptas se çdo gjuhë evropiane ka marrë rrugën e dialektit vulgar ose vulgaroid, domethënë gjuhë si frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, spanishtja, rusishtja etj., po bëhen përditë e më shumë ditë dialekte të përshtatshme vetëm për një çikë letërsi të bukur provinciale. E kjo vlen edhe për anglishten, siç na mëson amerikani Benjamin Barber: The queen’s English is little more today than a highfalutin dialect used by advertisers who want to reach affected upscale American consumers. (Jihad vs. McWorld, Random House, 1995, f. 84) Mund të thuhet, ndoshta, se është mirë për tregun botëror, për shkencën, për filozofinë, për politikën ndërkombëtare etj., të kihet një gjuhë të cilën çdo filozof, shkencëtar etj. e kupton, e shkruan dhe e flet, siç ka qënë, për shembull, një herë e një kohë greqishtja e më vonë latinishtja.
***
Rebus sic stantibus. Dua të theksoj se një ndër gjërat më të këqia që njeh jeta jonë është etika e suksesit, e cila, zakonisht, e verbëron njerëzimin në mënyrë sistematike dhe pothuaj absolute. Sipas darvinizmit, kjo është arsyeja që çdo qënie, çdo lëvizje kulturore ose politike, që afirmohen, janë më të mira se qëniet e lëvizjet që nuk kanë pasur sukses: më i miri fiton e kjo mjafton! Me siguri shpeshherë ai që fiton është më i mirë se ai që nuk fiton, por suksesi nuk duhet mbajtur si parim i padiskutueshëm: sa e sa herë ai që fitoi pati fat, pra rasti qe për të i favorshëm, shpesh edhe vetëm për një çast.
Jeta nuk i përfill parimet absolute dhe shkencëtari, filozofi, tekniku e të tjerë, duhet të kenë shumë kujdes kur formulojnë një gjykim, sidomos kur gjykimi duket përfundimtar. Shkenca serioze, bie fjala, nuk i njeh gjykimet përfundimtare!! Nëse marrim parasysh vetëm kohën moderne, na shtohet pyetja: Meqë Schicklegruber (më i njohur nën emrin Hitler) pati shumë sukses në fillim, mos vallë ishte vërtet më i mirë se gjermanët e tjerë? E ai sukses aq i madh pas ca kohe u shndrrua në katastrofë të tmerrshme. Po i ashtuquajturi bolshevizëm i shokut Stalin, që u afirmua për shumë vjet, mos vallë ishte lëvizje e mirë? Çdo arritje dhe çdo afirmim duhen analizuar me sy kritik e rrjedhojat e suksesit duhen shqyrtuar e rishqyrtuar me vëmendje.
Sot edhe biologu që merret me evolucionin ka filluar të kuptojë se qënia e cila afirmohet, i është përshtatur gjendjes së re, por kryesorja është se ka pasur fat, i ka shkuar mbarë, siç na thotë haptas japonezi Motoo Kimura. Askush nuk mohon suksesin e sotëm të gjuhës anglo-amerikane, por është gabim i rëndë e trashanik të besohet se kjo gjuhë është më e mirë se gjuhët e tjera. Ky gabim çon në gabime të tjera, po qe se njeriu nuk është i zgjuar dhe i matur. Suksesi i gjuhës anglo-amerikane ka, në radhë të parë, sidomos karakter politik e jo karakter kulturor, pra ndryshe nga ç’ pat ndodhur dikur me greqishten klasike dhe me latinishten.
Ca më keq kur dihet që disa individë nga Anglia shkruajnë haptas se gjuha e tyre qënka gjuha më moderne e botës. Cilësori “modern” për ta ka vlerën “përparimtar”, domethënë anglishtja është gjuha më e mirë, përderisa s’ka gramatikë e ngaqë thjeshtëzoi gjithçka, në një kohë që çdo gjuhë tjetër, për shembull latinishtja apo baskishtja, janë gjuhë të vjetra e kjo do të thotë se janë të vështira, të koklavitura, kanë shumë gramatikë e nuk vlejnë kushediçë. Këta individë nuk kanë sa duhet njohuri për gjuhën e, për pasojë, nuk mund të kuptojnë se anglishtja, sot anglo-amerikanishtja, ka marrë rrugën e kinezçes klasike, e cila e thjeshtëzoi dhe e thjeshtëzoi sa më s’bëbet sistemin e vet e pastaj filloi përsëri të vetëndërlikohej në një mënyrë tjetër… Përveç kësaj, amerikani normal - në këtë rast nuk ndruhem të them: amerdikani! - është i bindur se rruzulli tokësor sot ka praktikisht vetëm një gjuhë e vetëm një shtet me sovranitet të plotë e se kjo gjendje qënkej përfundimtare për njerëzimin, prandaj nuk mund të ketë ndryshime në të ardhmen!
***
Ndërsa gabimi i dytë është suksesi i monokulturës së kapitalizmit absolut e kjo monokulturë është duke mbisunduar jetën tonë. Sot shumë njerëz, jo vetëm në Afrikë e në Azi, por edhe në Evropë, kanë krijuar bindjen se anglo-amerikanishtja është gjuha e kulturës tout court e ai që nuk e zotëron mirë anglo-amerikanishten, nuk mund të quhet i kulturuar. Këtu nuk dua të them se anglo-amerikanishtja duhet shpërfillur apo luftuar; jo, dua vetëm të theksoj qartas se çdo gjuhë është e mirë dhe është e aftë të shprehë çdo gjë për të cilën populli që e flet ka nevojë dhe çdo gjuhë është në gjendje të zhvillohet e të bëhet e përshtatshme për shkencë, filozofi, teknikë etj. Dëshiroj të kujtoj, bie fjala, që ca romakë kishin menduar, më se dy mijë vjet më parë, se latinishtja e tyre nuk ishte e përshtatshme as për shkencë, as për filozofi. S’kaloi veçse pak kohë dhe latinishtja u bë për shekuj e shekuj gjuha e filozofisë dhe e shkencës. Në cilën gjuhë anglezi Isaak Newton (1643-1727), i cili zbuloi binomin që i mban emrin, bazat e përllogaritjes diferenciale e integrale, teleskopin, sidhe ligjin e rëndesës së gjithësishme, e shkroi veprën e tij madhështore në tre vëllime? (Philosophiae Naturalis Principia Mathematica, 1686-87). Dhe më tej: në cilën gjuhë u shkrua e para gramatikë e gjuhës angleze? (John Wallis, Gramatica Linguae Anglicanae, 1653)
***
Monokultura për të cilën fola më lart, është popkulturë amerikane e sot vlen si kulturë botërore, kundër së cilës duhet luftuar, por jo si më 11 shtator 2001, pra jo me dhunë e urrejtje. Dhuna e urrejtja , siç kam theksuar shumë herë, janë parime tejet negative dhe nuk mund të na ndihmojnë fare, sepse pjellin automatikisht përsëri dhunë e urrejtje. Disa dijetarë që mbahen si përparimtarë e të urtë, sidomos në Itali e Gjermani, thonë se tani gjuha e tyre amtare padyshim është pasuruar me fjalë anglo-amerikane. Sa më përket mua, mund të pranoj faktin se ky mendim vlen vetëm për disa njerëz, - si për shembull për Ciceronin dy mijë vjet më parë me greqishten e për gjuhët vulgare moderne neolatine e për anglishten më vonë, të cilat u pasuruan me fjalë kulture nga latinishtja klasike etj., - por nuk vlen në asnjë rast për pjesën dërrmuese të popullsisë së tanishme gjermane ose italiane. Kush e njeh sot mirë Gjermaninë e nuk i vete pas dubdabit, si thotë arbëreshi, s’e ka vështirë të vërejë se ky vend nuk ka më muzikën e vet.….Meqenëse jam duke folur për Gjermaninë, kujtdo që e njeh mirë këtë vend, i është mbushur mendja top se gjermani normal i sotëm ushqen një kompleks inferioriteti të rëndë ndaj Anglisë e është i bindur se çdo gjë që vjen nga Anglia, - letërsia, muzika, zakonet etj -, vlen më shumë se të vetat e vepron si shimpanzeu…
Le t’i rikthehemi temës sonë. Shumica e njerëzve nuk janë aq të mënçur e për ta ca fjalë amerikane fitojnë me lehtësi vlerë magjike. Sa gjermanë, për shembull, përmendin çdo ditë qindra e qindra herë O.K.? A është kjo shprehje pasurim i gjuhës apo dëshmi se ca njerëz nuk janë aq të zgjuar? Nuk po zgjatem me fjalët magjike nga anglo-amerikanishtja...
Para se të vazhdoj më tej, dua të nënvijoj se popkultura amerikane, sëbashku me konsumin përkatës, është opiumi i sotëm për popullin. Ky opium është shumë më i keq e dëmprurës se sa opiumi kundër të cilit u përpoq të luftonte Karl Marksi. Monokultura e sotme amerikane është pjellë e kapitalizmit absolut e kapitalizmi absolut i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka në dorë gjithçka. Kur thuhet se jetojmë në epokën e komunikimit, harrohet se kapitalistët e mëdhenj kanë në dorë sot komunikimin dhe e vërtitin atë siç ua ka ënda. Në rast se nuk do të tregohemi të kujdesshëm, nuk kemi për të qënë më qytetarë në shtetet tona demokratike, por vetëm konsumues të verbër. 
Është e vërtetë se haraherës në Amerikë e në vende të tjera shkruhet edhe ndonjë libër e artikuj të mirë me frymë kritike, por jo çdokush është në gjendje të gjykojë cili libër është vërtet i dobishëm dhe, si i tillë, duhet studiuar ose lexuar. Normalisht mjafton që një shtëpi botuese e madhe të propagandojë një libër e ky të shitet dhe pothuaj të gjithë recensuesit, pa përjashtim, të japin vlerësime pozitive për të. Shumë marrëzi serviren sot si shkencë, për shembull pohimi: historia merr fund... dhe autori bëhet „i famshëm“. 
Ndërkaq, i quajturi Hans Moravec përpiqet të na mbushë mendjen se kultura biologjike do të kalojë në kulturën postbiologjike, se nga njeriu me zgjuarësi mesatare do të shkohet te kompjuteri superinteligjent: makinat do të bëhen aq të zgjuara, sa nuk do t’ia kenë më aspak nevojën njeriut, madje do të vetëriprodhohen, duke u përsosur përherë e më shumë. Mbështetja biologjike, pra, nuk i nevojitet më njeriut e puna e rëndë dhe e tmerrshme e edukimit të fëmijëve, që lyp aq kohë e aq vullnet e fuqi, iu dashka kushtuar detyrash „më të vlefshme“!!! 
Këtu dua të kujtoj se një amerikan tjetër, Bushi i Dytë, kohë më parë deklaroi solemnisht në Berlin se ai do ta zhdukë përgjithmonë të keqen nga faqja e dheut!!!
Unë vërtet ndjej mëshirë për ata që mendojnë kështu dhe dua të shpresoj se njerëz të tjerë do ta marrin sa më parë në dorë shkencën, politikën dhe ekonominë. 
***
Edhe letërsia e bukur ka humbur terren e pikë. Ndonjë shkrimtar i mirë, ashtu si edhe ndonjë shkencëtar serioz e filozof i ndershëm, nuk mungojnë, por ja që seriozitetit sot nuk i jepet fort rëndësi. E, për fat të keq, kjo nuk vlen vetëm në shkencë ose filozofi, por, siç thashë më lart, sidomos në politikë dhe ekonomi. Historia na mëson se moda nuk ka qënë kurrë kaq e fuqishme dhe kaq e papërmbajtur e vulgare sa sot; nuk ka ndjesuar asnjëherë shoqëri të tëra e as nuk ka pushtuar kurrë katërcipërisht çdo anë të jetës shoqërore e vetjake. Tanimë muzika, sporti, veshja, e folura, e ngrëna, me një fjalë të gjitha janë në dorë të kapitalistit, i cili është bërë si pronar absolut, ndërsa njerëzit, me perjashtime tepër të rralla, janë bërë si skllevër pa vullnet e pa karakter.
Me sa duket, feja e re është konsumi e konsumi është si një mani, si një ves, si një sëmundje e pashërueshme. Kjo sëmundje nuk njeh, mjerisht, asnjë kufi e rruga për në kriminalitet është e hapur e bëhet ditë për ditë më e gjerë. 
***
Cilido që mund të më thotë se po e teproj e se kjo është metoda ime e zakonshme, harron se shteti amerikan shpenzon më shumë të holla për burgje se sa për shkolla. Me siguri është e dobishme të nënvijohet se shoqëritë e mëdha, veçanërisht shtetet moderne me numur banorësh shumë të lartë, ashtu sikurse ka ndodhur me shtetet në shekujt e kaluar, përballen shpeshherë me vështirësi të rënda, me kriminalitet, me burokraci kleptomane, me qeveritarë egoistë e tiranë dhe këto probleme shoqërore janë gjëra që ndodhin, herë më shumë e herë më pak. Ndërkaq edhe jeta vetjake dhe ajo shoqërore apo shtetërore kanë kaluar vazhdimisht nëpër kriza të vogla ose të mëdha dhe njeriu pak nga pak e gjen rrugën e mirë ose rrugën që është më pak e keqe. 
Këtu nuk dua të flas për të ardhmen, po për kohën e sotme dhe shpreh haptas mendimin se kriza jonë më duket vërtet tepër e rëndë dhe ushqej skepticizëm e mëdyshje. 
Po e mbyll këtë shkrim me premtimin se, sa të kem fuqi, nëse mosha ma lejon, do të botoj për ndonjë zë kritik që dëgjohet në Amerikë e tjetërkund.
Bad Säckingen, Gjermani, 7 maj, 2002 (riparë më 1-5 korrik, 2002)