HIQMET MEÇAJ: Modernizmi dhe Mikrobotizmi

(Pasthënie e autorit për botimin e romanit “Kukullat e pyllit”)

Ky shkrim nuk merr përsipër të shterojë katërcipërisht shkaqet që e lindën modernizmin, historike apo sociale, as meritat e të metat e tij. Është e vërtetë se modernizmi, me degëzimet e shumta, solli dhe po sjell pasuri të pafundme veprash dhe kryeveprash në të gjitha fushat e letërsisë dhe të artit, stile, mjete shprehëse. Është gjithashtu e vërtetë se zbulimet e mëdha në botën e shkencave, sidomos në fizikë, tronditën mjaft pikëpamjet filozofiko-estetike tradicionale, duke hedhur bazën për platforma të reja të mendimit, mbi të cilat do të lindej modernizmi.
Filozofi estet amerikan P. Blank është shprehur se gjithë merita e Shredingerit, Hajzenbergut, Dirakut, Borit, qëndron në formulimin se “bota kuptohej si diçka e përbërë nga thërrmija materiale, kurse doli në fakt se është një sistem valësh, qendër e një cikloni valësh ose luhatje e eterit imagjinar”. Sipas tij ishte meritë e zbulimeve të mëdha shkencore të autorëve të mësipërm që materia u bë sinonim i energjisë. Pas kësaj, po sipas tij, tani materies s’i mbetet fare gjë dhe çdo aspekt qëndrueshmërie bëhet iluzor. Blanku është i mendimit se njerëzimi jeton në një botë hijesh, ajo që ndodh në të vërtetë nuk mund të kuptohet dhe çdo gjë, deri te sendet e njerëzit, janë fantazma të vetes së tyre. Kështu që arti bëhet abstrakt, sepse vetë bota është bërë abstrakte.

Para një hopi të tillë të shkencës, që do të përgatiste shtysën aq të madhe të zhvillimeve të shekullit XX, njerëzimi ndjen krizën e personalitetit të vet. Estetja Sjedakova vëren se modernizmi nisi në kohërat e ashtuquajtura të krizës së personalitetit dhe kësisoj duhej të kishte punë me këtë krizë. Meqë gjërat koklaviten, nuk janë më aq të thjeshta si më parë, sipas saj, duhej të krijoheshin forma të reja më reale se ato që zotërojnë në kohën e tashme: kërkohej një harmoni e re, më e ndërlikuar, më e thellë.
Kriza e personalitetit ndjehet fuqimisht në të gjitha rrymat moderniste, te simbolizmi, dadaizmi, surrealizmi, ekzistencializmi, përroi psiqik, antiromani, realizmi magjik, etj.*
Te përfaqësuesit e shquar të “përroit psiqik”, Prusti, Xhojsi, Kafka etj, si dhe ata të ekzistencializmit si Sartri, Kamy, kriza e personalitetit përftohet në gjëndje unikale, herë si vetizolim, neveri, bashkëfajësi e herë tjetër si paaftësi për të perceptuar botën materiale jashtë botës iluzore.
Kafka është i mendimit se njeriu nuk mund të ketë personalitet, përderisa jeton në situata absurde.
Xh. Xhojsi, në romanin “Ulisi”, botuar në vitin 1924, shprehet me gojën e njërit prej personazheve se “jeta e secilit nga ne është baras me shumë ditë njëra pas tjetrës. Duke kaluar përmes vetvetes, ne takojmë vjedhës, shpirtëra, trima, pleq, të rinj, gra, të reja, vëllezër, bashkëpunëtorë. Por te ata takojmë gjithmonë e gjejmë veten tonë”.
Kriza e personalitetit është një temë mjaft e gjerë, që kërkon vëmendje dhe trajtim të veçantë për të kuptuar thellë krijimtarinë moderniste. Por ajo lidhet ngushtë me krizën e kohës dhe nuk mund të vështrohet asnjëra më vete, pasi prej tyre rrjedhin edhe prurjet e të në fushën e gjuhës, simboleve, shenjave e kodeve të tjera.
Teoria e relativitetit e Ajnshtajnit, sipas së cilës bota nuk është me tre përmasa, por me katër, ku trupat e ndryshëm nuk kanë vetëm gjatësi, gjerësi, thellësi, por edhe kohë të ekzistencës së tyre, nuk mund të mos prekte krijimtarinë letrare e artistike.
Bergson e konsideronte kohën ireale dhe e barazonte me kujtesën. Sipas tij kujtimet janë faktor vendimtar në jetën e njeriut, bazë e ekzistencës së tij. Ai kështu i hap shtigje me filozofinë e vet letërsisë së “përroit psiqik” të Prustit, Xhojsit, Kafkës.
Kujtimet nuk paraqitin jetën e njeriut, por e gëlltitin atë, e vënë nën pushtetin e tyre; nuk janë mbresat që na rrëfejnë për jetën, por jeta përbëhet nga vetë kujtimet.
Shkrimtarët modernistë e mohojnë rrjedhjen e kohës në një drejtim. Copëzimi i kohës, u bë për modernistët pikënisje e irracionalizmit, ku personaliteti copëzohet në gjëndje të kundërta shpirtërore. Copëzimi i kohës jepet sidomos në antiromanet e Rob-Grijesë, ku shohim kaos ngjarjesh që duken absurde, ngaqë koha jepet e coptuar dhe e çliruar nga lidhjet shkak - pasojë.
Sipas A. Hauzer (estet amerikan), kujtesa mbi kohën është një periudhë e caktuar e jetës sonë dhe s’ka ekzistencë reale.
Platforma e estetikës moderniste për hapësirën dhe kohën është ndërtuar duke u mbështetur te filozofia pozitiviste e Mahut dhe Avenariusit, ku hapësira dhe koha janë vargje të rregullta ndijimesh
Për modernistin, e shkuara ende s’ka qenë, ajo pret të ardhmen e saj. Forma e kohës ka kaluar pakthyeshëm...mbetet vetëm montazhi mekanik i copëzave, në mbledhjen e të cilave nuk parakuptohet asnjë lloj kufizimi, kurse shenjat janë të kufizuara e të zbrazëta.
Eliot - Në fundin tim është fillimi im.
Kavafis - ...Mësoje se kurrë,
askush nuk lindi dhe nuk vdes askush. poezia “përjetësi”
Paul Celan – Duke ia hequr kohës guackën, e mësojmë të ecë –
koha kthehet në guackë. –Poezia “Corona”
Në jargë paravdekje nën parzmën e erërave dhe hëna
plastë si bombë.
Një tjetër tokë ardhtë! –Poezia “Jo këtu dhe jo menjëherë”
Elitis Asgjë nuk vjen. Asgjë
nuk shkon.. - Poezia “Klima e mungesës”
mbledhje të bardha, shuma të zeza. -Poezia “Përvjetor”
Jetojmë veç falë përjashtimit
shtiremi se asgjë nuk ndodh. - Poezia “Lufta e Trojës”
A. Breton te “Manifesti i parë i surrealizmit” (1924), thotë: “Unë besoj në bashkimin e ardhshëm të këtyre dy gjendjeve, të cilat në vështrim të parë duken si të kundërta: gjumit dhe realitetit në një realitet absolut, në një superrealitet”.
Sipas modernistëve gjuha është pushtet tiranik përdhunues, ajo nuk e zbulon botën, por e mbyll me shtatë dryne që duhen thyer, shprehet Sjedakova. Kurse në estetikën semiotike objekti themelor i vëmendjes së artistit duhet të jetë procesi i ndërtimit të veprës artistike, jeta e pavarur e fjalëve dhe jo njerëzit, sjelljet, mendimet, ndjenjat e tyre. Arti në tërësi shpallet gjuhë dhe vlera estetike e veprave artistike lidhet me strukturat e shenjave të ndryshme dhe me raportet e tyre formale.
Shkrimtarët modernistë ndjejnë terrorin verbal, shkatërrimin e gjuhës, gramatikës, sintaksës. Kjo edhe te përroi psiqik, dadaistët, futuristët, ekspresionistët, surrealistët, përfaqësuesit e antiromanit.
Të ashtuquajturit chozistë (sendistë), pasi kanë përjashtuar njeriun nga qendra e artit, përdorin një gjuhë natyraliste, me fjali të gjata dhe plot imtësira. Për modernistin tjetër kod ka shkrimtari, tjetër lexuesi e përderisa ekzistojnë dy kode të tillë, më tepër rëndësi ka ai i të parit.
Te ky fragment i Rob-Grijesë ndjehet fort mirë se si vepra letrare është vetë gjuha. “Tetë gishtrinj të shkurtër, të trashë prekin njeri tjetrin. Pjesa e prapme e dorës së djathtë është mbi pjesën e brendshme të së majtës. Gishti i madh i së majtës përkëdhel thoin e gishtit të djathtë, në fillim lehtaz, pastaj e shtrëngon më me forcë. Më vonë e ndryshojnë pozicionin...”
Ka kaluar më se një shekull që nga fillimet e modernizmit, i cili u degëzua në dhjetra shkolla e rryma, secila me përfaqësues të shquar e me kryeveprat e veta. Në se shkencat moderne të kohës hodhën hapat e para të mëdha dhe “materia u bë sinonim i energjisë”, duke krijuar iluzionin e shkatërrimit të saj, edhe letërsia e artet e të gjitha llojeve kërkuan e gjetën mjete të reja shprehëse, stilistike e gjuhësore, duke i gjallëruar ato. Shohim kompozicione të reja, vendosen të tjera pozicione filozofiko-estetike, personazhet ndihen më ngushtë se më parë, bota konceptohet krejt ndryshe, bëhet më e imtë, më e copëzuar.
Kjo vihet re më mirë, në se lexon në të njëjtën kohë një roman të Balzakut dhe një të Kafkës apo Markezit. Pikërisht imtëzimi i botës, apo mikrobotizimi, bëhet një dukuri tejet e dukshme në zhvillimin e mëtejshëm të shkencave, të cilën nuk mund ta lërë pa vërejtur as shkrimtari. Raportet makrobotë-mikrobotë lidhen më ngushtësisht, po dhe acarohen nën trysninë e streseve të ndërsjellta.
Të gjitha veprat letrare e shfrytëzojnë kohën në drejtim të kundërt të saj. Në se koha realisht rrjedh në një drejtim, e shprehur gjuhësisht kështu: vjen nga do të..., prek po dhe shkon te isha, që janë përkatësisht e ardhmja, e tashmja dhe e shkuara, në letërsi ngjarjet asnjëherë nuk rrjedhin në këtë kah, por me isha dhe rrallëherë me jam, kurrë me do të. E ardhmja ose ajo që shprehet me do të, është një kohë iluzore, që pritet të ndodhë, mund edhe të mos ndodhë, mundet të jetë edhe një dëshirë, vegim, apo trillim i yni, një zanafillë e mikrobotës njerëzore. E ardhmja ose ajo që shprehet me do të, është një kohë e gjatë, por edhe e pafundme, megjithëse e mjegullt dhe pa konture të dukshme, është ajo që pritet në mënyra të ndryshme, me gëzim, neveri, tmerr, entusiazëm, apo indiferentizëm. Edhe e shkuara, ose ajo që shprehet me isha, është një kohë e gjatë, por edhe e pafundme, edhe ajo pa konture tepër të qarta, është e deformuar dhe aspak e njëllojtë, qoftë edhe për dy vetë, të cilët e kanë përjetuar bashkërisht të njëjtën ngjarje. Është një kohë e ftohtë, emocionet e së cilës gjithnjë largohen, mjegullohen, deri sa një ditë humbin krejtësisht, në se nuk janë riprodhuar. Kurse e tashmja, ose ajo që shprehet gjuhësisht me po, është një kohë tepër e shkurtër, një grimcëz, vjen me shpejtësi nga do të dhe largohet po me shpejtësi te isha. Kjo kohë kaq e grimcuar, që do ta quaja “koha reale”, i përjeton të tria kohët njëherësh. Ajo e pret të ardhmen në mënyra të ndryshme, me gëzim, neveri, tmerr, entusiazëm, apo indiferentizëm, përjeton gjithçka që sjell ajo dhe i përcjell drejt së shkuarës, me dhimbje, gëzim, shpresën e ritakimit, rigjetjes, ankthin e harrimit, humbjes, zhgënjimit. Në se e ardhmja vjen pambarimisht dhe e shkuara largohet pafundësisht, e tashmja, tejskajshëm e vogël, pret e përcjell nën trysnitë dhe streset e dy të tjerave, të cilat në krahasim me të janë makrobotë. Në se e tashmja është kohë reale, krijuar nga e ardhmja që vjen për t’u bërë kohë reale vetëm për një grimë, atëhere lind pyetja: po jeta vetë ç’është? Mos vallë shuma e këtyre mikrogrimcave reale të së tashmes? Apo pritja e prurjeve të mundshme e iluzore nga e ardhmja, ose rrjedhje drejt së shkuarës e këtyre mikrogrimcave, që, pasi janë konsumuar, largohen pambarimisht deri në shuarje?
Në se të gjitha këto do të shndrrohen në lëndë letrare, shkrimtari do të bëhej tepër arbitrar dhe i dhunshën në se i imponon lexuesit si kohë reale të shkuarën, për ta bindur atë se gjithçka ndodh vetëm kështu e jo ndryshe. Por lexuesi i ndjen trysnitë e të tria kohëve njëherësh, ndjen se si personaliteti i shtypet nën këto trysni dhe jeta reale e tij është vetëm një grimcë e ardhur nga një kohë e turbullt që ai e ka përfytyruar në mënyra të tjera e që ka rrjedhur me shpejtësi drejt së shkuarës duke e kënaqur apo zhgënjyer dhe vetëm mendimi se edhe ai, në një të shkuar jo tepër të largët, në fillim do të shndrrohet në një kujtim që pak nga pak do të shuhet deri sa të humbasë përfundimisht, sikur s’ka qënë kurrë. Ndoshta do të duhej t’i jepnim deridiku të drejtë Sjedakovës kur pohon se kërkohet një harmoni e re, më e koklavitur, më e thellë, apo Bergsonit, që e konsideronte kohën ireale dhe e barazonte me kujtesën.


*Autori i shkrimit u është referuar edhe disa burimeve që ka përdorur prof. A.Uçi.